TIRANE - Kishte kalkuluar në mendjen e tij, se si do të mund ta kishte marrë një titull olimpik në Londër 2012, por i përfshirë në një skandal dopingu, ëndrra iu shua. Ai fajëson mungesën e informacionit që duhej të kishte marrë nga Federata për vitaminat që përdorte, se për pretendimin për të pasur një mjek, as që bëhet fjalë. Erkand Qerimaj sërish nuk është dorëzuar. Në korrik 2013 ai do tu kthehet garave me fi tore e rezultate më të larta, sepse sipas tij njerëzit kanë pasur besim te ai, e kjo është e vetmja mënyrë për ti kthyer mirënjohjen. Po si është jeta e Erkandit, kampionit shqiptar në Evropë… Në intervistën dhënë për Gazetën Shqiptare ne do njohim një djalë të edukuar mirë dhe mbi të gjitha të vendosur në qëllimet e tij, të jetë sërish kampion.
Kur e kuptove që dëshira jote ishte drejtuar nga peshat e rënda. Si silleshe në fëmijëri karshi tyre?E kuptova në moshën 9 vjeçare, pasi kisha provuar më parë të merresha me karate dhe futboll. Babai më pyeti nëse kisha dëshirë të merresha me këtë sport pasi trajnerin e kishte shok dhe unë pranova të regjistrohesha menjëherë në peshëngritje. Trajneri im i parë ka qenë Muhamet Tuzi.
Kur nise të angazhoheshe për herë të parë në një ekip?
Në moshën 10 vjeçare isha në ekipin e Vllaznisë te para të rinjtë.
Si e priti mamaja zgjedhjen tënde sepse peshëngritja nuk është ndonjë sport shumë i këshillueshëm për fëmijët e vegjël?
Mami nuk kishte qejf që u regjistrova në këtë sport sepse thoshte që është sport i rëndë, pasi ndodhi që unë që në ditët e para të stërvitjes, u vrava në kokë me shtangë. Madje ajo më ndaloi të shkoja në stërvitje. Por trajnerët Muhamet Tuzi dhe Genc Barkiçi, erdhën në shtëpi dhe i thanë prindërve që unë kisha të ardhme në këtë sport, se isha i talentuar dhe do të arrija rezultate shumë të larta. Biseda me ta, i bëri prindërit të ndryshonin mendje.
Me ke i ke më mirë marrëdhëniet në familje?
Nuk mund të bej krahasime, por me babin kaloj pjesën më të madhe të kohës, pasi që në moshë të vogël më ndjek çdo seancë stërvitje dy herë në ditë. Po ashtu edhe me mamin, ajo kujdeset për mua, për të gjitha gjërat që kam nevojë, sepse të jesh sportist në nivele të larta ke nevojë që familja të rrijë afër, aq më tepër në Shqipëri që nuk kemi kushtet minimale për stërvitje. Të njëjtat marrëdhënie kam edhe me dy vëllezërit të cilët më kanë qëndruar gjithmonë pranë.
Paralel me sportin dhe gjimnazin, si silleshin mësuesit në shkollë?
Shumica e mësuesve janë sjellë shumë mirë me mua, pasi unë për shkak të stërvitjes apo përfaqësimit në garat ndërkombëtare duhet të bëja edhe mungesa.
Janë gërricur ndonjëherë të fortët e shkollës me ty apo kishin frikë?
Edhe mund të kem pasur ndonjë ngatërresë, pasi vet mosha është ë shkollës së mesme është delikate, por jam munduar gjithmonë që ti shmangem ngatërresave sepse nuk ka logjik të tregosh forcën te të tjerët meqë merresh me sporte të rënda. Edhe vet sporti, të edukon që të sillesh mirë dhe, me edukatë, duke të larguar nga këto ambiente, sepse je i fokusuar më shumë te stërvitja se sa tek prapësirat.
Vajzat çfarë mendonin për ty, të afroheshin apo të shmangeshin?
Po unë pavarësisht titujve dhe rezultateve, në shkollë dhe në shoqëri jam sjellë si gjithë moshatarët, nuk kam pas ndonjë sjellje anormale, kështu që nuk kishin pse të largoheshin. Kam shkuar mirë dhe i kam respektuar.
Si ka qenë dashuria jote e parë? Harxhoje më shumë kohë për vajzat apo për stërvitjen?
Normal me stërvitjen, sepse po te kisha harxhuar më tepër kohë me vajzat s’do kisha arritur këto rezultate.
Kur more titullin e parë sa vjeç ishe dhe a qave?
Isha 14 vjeç dhe u shpalla kampion i Evropës. Sigurisht që u preka, por ato janë më tepër lot gëzimi, nga gjithë ajo lodhje, kalon në fitore. Është një emocion i veçantë aq më tepër që isha për herë të parë dhe në vend të parë në Evrope.
Kë ke idhull nga shtangistët shqiptar?
Më tepër e krijoj te vetja atë imazh.
Shumë i vogël por me shumë tituj, si ju bën të ndjeheni ky fakt?
Ndjehem mirë dhe krenar për ato që kam arritur dhe njëkohësisht kjo më ngarkon me përgjegjësi ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve që presin nga unë.
Cili ka qenë favori më i madh që keni përfituar prej sportit?
Sigurisht që kam pasur përfitime prej sportit të cilat i kam marrë në bazë të arritjeve të mia; shpërblimet që nuk kanë qenë të mëdha, bursa që mu dha për të studiuar në Drejtësi te universiteti “Marlin Barleti”, pasi u shpalla kampion bote për të rinjtë më 2006, por edhe tani në Universitetin e Sporteve. Mbi të gjitha favoret që kam përfituar, është respekti që tregojnë njerëzit karshi meje.
Një titull i madh, një emocion i madh dhe një lajm super i hidhur për humbjen e asaj që fitove me djersë. Ndjehesh keq teksa e di që në Londër ka gara?
Në fakt as vetë nuk e di se si ndjehem. Jam munduar gjithë karrierën time që të kem kujdes, mos të marr ndonjë gjë që s’duhet dhe kjo ishte arsyeja që edhe vitaminat i blija në Shtetet e Bashkuara. E porosisja shpesh Erlin Nikollën që mi blinte, ti kontrollonte mirë e të pyeste, por te dyqani ishin mjaftuar duke i thënë që, ato që unë përdorja, ishin vitamina normale, të pastra nga substancat e ndaluara. Ne nuk kemi mjek e unë për tu siguruar i blija jashtë. Tash e 10 vjet që kam marrë medalje, e nuk e kam menduar kurrë se do të ndodhi kjo gjë, erdhi si tërmet në karrierën time. S’di ç’të them; Në këto 10 vjet nuk është bërë një seminar antidoping në Shqipëri, se si të kujdesemi që mos të biem në rrjetën e këtyre substancave, s’ka asnjë lajmërim për vitaminat që duhet apo s’duhet të marrim, për mjek as që bëhet fjalë. Ndjehem shumë keq që nuk jam pjesë e Lojërave Olimpike të Londrës 2012 pasi Olimpiada është ëndërr për çdo sportist. Kam dhënë pikët maksimale për 4 kuota që janë fituar për meshkuj dhe po të isha atje do të isha edhe më afër medaljes olimpike duke e krahasuar me rezultatet.
E dinit që pilulat që ju merrnit kishin substanca të ndaluara?
Nuk e dija, pasi mjaftonte që atë ditë të mos ta kisha pirë dhe e gjithë kjo s’do të kishte ndodhur, pasi kjo lëndë në stërvitje lejohet. Këtë e vërteton edhe kontrolli një javë përpara garës ku unë dola në rregull me testin, pra kjo ishte një lëndë që ndalohej vetëm ditën e garave. Madje unë e kam shkruar në të dy formularët se çfarë vitaminash përdorja.
Ju dërrmoi psikologjikisht ky fakt apo e latë pas krahëve e vendosët të punoni më shumë për të rikthyer dinjitetin në vend?
Ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Të dënohesh për një gjë që nuk e ke bërë me vetëdije dhe që je kujdesur në maksimum që të mos të ndodhte. Në fillim nuk po ambientohesha dot, nuk mu besonte që kishte ndodhur, por mbrapa vendosa ti shkoj deri në fund maratonës gjyqësore, pasi isha i ndërgjegjshëm që nuk kishte ndodhur për fajin tim. Por do punoj shumë dhe, jam i sigurt që do ta tregoj vedin, pasi ato vitamina s’kanë lidhje me rezultatet e mija. Kam 30 medalje ndërkombëtare, dhe do punoj shumë që të marr të tjera.
Pasi ndodhi kjo histori a ju gjykuan keq njerëzit?
Shumica e kanë kuptuar krejt situatën sepse edhe unë jam munduar tua shpjegoj në të gjitha konferencat për shtyp. Ata e dinë që nuk është faji im sepse nuk ka logjik që një sportist ta dëmtoj karrierën e vet qëllimisht.
Raste dopingu te shqiptarët edhe në lojërat olimpike të Londrës, 3 raste në total që nga dhjetori, çfarë mendoni?
Të gjitha këto raste mund të ishin parandaluar nëse Federata tu kishte bërë vet kontrolle sportistëve të saj, ndërsa në rastin tim duhet të më kishin informuar mbi rrezikun e vitaminave e në këtë mënyrë do të ishin eliminuar të gjitha pasojat.
Tani besoj je me pushime, si do i kalosh dhe ku?
Po me pushime jam pasi tani s’kam ndonjë aktivitet. Këto ditë po i kaloj në plazh në Velipojë, ndërsa për pjesën tjetër nuk kam vendosur ende.
Ke të dashur?
Po, dhe e dua shumë.
Kur do e nisësh stërvitjen?
Stërvitjen e kam filluar, por bëj stërvitje alternative, not, pak vrap edhe ushtrime tjera të ndryshme, ndërsa me shtanga akoma se kemi vendosur me trajnerin tim Zef Kovaçin, i cili më ka qëndruar shumë afër gjatë të gjitha periudhave e për këtë dua ta falënderoj.
Gjatë këtij viti që je pezulluar me çfarë do merresh?
Akoma nuk e kam vendos, por do pushoj një herë sepse kisha 10 vjet pa bërë një pushim si duhet. Mbrapa, do filloj stërvitjen që të jem gati për vitin tjetër.
Si është dita jote prej studenti na e përshkruaj pak?
Tani vetëm për provime shkoj, sepse e kemi me vendim qeverie që sportistët e cilësisë së lartë, të jenë me program individual.
Cili është personaliteti shqiptar që ju ka bërë më shumë përshtypje pas takimit që keni pasur me të?
Ish-Presidenti Bamir Topi, ishte shumë i apasionuar pas sportit, ngritjes së vlerave shqiptare dhe, vlerësimit të ngritjes së Flamurit Shqiptar .