Emiliano: Pse Genta me quajti gay

Emiliano Shehaj, i njohur ndryshe si i dashuri i Gentës, ndonëse na doli që asnjëherë nuk ka qenë, do të rrëfejë sot për herë të fundit në “Bluetooth” gjithë historinë, që u shndërrua në një ‘love story’Si u njoh me Gentën? Mendimi që ka sot për të? Kush është Xhani dhe pse dy djemtë u hoqën sikur ishin vëllezër? E vërteta mbi sek-sualitetin dhe aksidenti që e mban të kyçur në shtëpi, për të cilin Emiliano nuk do të flasë... 
 
Emilio, je i sigurt që mes teje dhe Gentës nuk ka pasur asnjë histori, sepse nga ato që ka rrëfyer Genta rezulton e kundërta? 
Absolutisht që nuk kam pasur asnjë lidhje. Ndoshta kjo ka qenë një dëshirë e madhe e Gentës, por aspak e imja. 
Si jeni njohur ju të dy? 
Njohja ime me Gentën ka qenë krejt rastësore. Para se të futej në “BB5” më kishte bërë kërkesë miqësie në “Facebook”. Për mua ishte thjesht një numër më tepër në miqtë e mi të “Facebook”- ut. Ajo vetë personalisht kërkonte që të komunikonte shpesh me mua, duke qenë e lidhur njëkohësisht edhe me Rubensin. Kjo ishte gjëja e parë që nuk më pëlqeu tek ajo. 
Genta ka thënë që ka qenë ajo që të ka njohur me Xhanin? 
Genta ka thënë shumë gjëra, të shumtat trillime, duke bërë një lojë të ndyrë. Unë Xhanin e njoh personalisht më parë, sepse kemi bërë stërvitje në të njëjtat ambiente, pasi të dy jemi sportistë. 
Pse gënjyet dhe thatë që ti dhe Xhani ishit vëllezër? 
Për arsye personale dhe familjare nuk kam mundur që pyetjeve të ndryshme nga gazetarët t’u përgjigjesha vetë dhe këtë gjë ia lashë në ngarkim njeriut tim më të besuar. Për të mos pasur keqkuptime dhe shumë pyetje të panevojshme, u prezantuam si vëllezër. Në të vërtetë jemi shokë aq të ngushtë sa e shohim njëri-tjetrin si vëllezër. Nuk është e thënë që të quash një person vëlla duhet me patjetër të kesh lidhje gjaku. Besoj se të gjithë kanë nga një person që e quajnë vëlla ose motër, pa qenë në të vërtetë. 
Ajo ju ka quajtur homosek-sualë; pse mendon se e ka bërë? 
Nuk mendoja se refuzimi im ndaj saj do ta çonte në këto trillime. E gjithë kjo nisi si shkak xhelozie për shoqet e mia. Ajo nuk e kuptonte, se s’kishte arsye të bëhej xheloze, pasi unë nuk i kisha premtuar asnjë gjë. Me sa duket ajo nuk mundi që ta përmbante inatin kundër meje dhe shokut të saj që vetë Genta e thërriste “vëlla”, Xhanit, duke u munduar të prishë imazhin tonë. Madje unë kam sms nga Genta që më kërcënon se nëse nuk do ta pranoja atë si të dashur, do të bënte shumë gjëra kundër meje dhe do i publikonte nëpër gazeta. Nuk mendoja që do arrinte kaq poshtë. 
Pas gjithë kësaj që ka ndodhur, ç’mendim ke sot për Gentën? 
Për mendimin tim, ajo është një njeri shumë negativ dhe ka shumë dinakëri. Më shumë seç duhet. Mund të them që më ka ardhur turp që jam përfshirë në historitë e saj trilluese. E njihnim Gentën si një person që arrinte të thurte fjalë në moment, por nuk e prisnim që do arrinte të thurte intriga të rënda kaq shpejt.
Së fundmi është zbuluar një aksident, si pasojë e të cilit ti vuan dënimin me arrest shtëpie...Është e vërtetë kjo, besoj? 
Kjo është një gjë shumë personale dhe s’ka të bëjë as me trillimin e Gentës nëpër gazeta edhe as me një njeri tjetër. Nuk e kuptoj pse u bë publike kur Genta nuk kishte lidhje fare me këtë ngjarje. Ndoshta nuk i mjaftoi të më rrëzonte mua dhe deshi të përfshinte edhe familjen time. Nuk kam pse të flas më shumë për këtë gjë.