Flori: Armiqtë më shajnë pas shpine, por më kërkojnë këngë

Flori Mumajesi, krijuesi më 'në modë' i momentit në Shqipëri, vjen në një rrëfim të gjatë dhe ekskluziv, ku për herë të parë do të përmendë edhe emra. Në fakt për të qenë i sinqertë deri në fund me ju, intervista që po botojmë sot, nuk është tamam ajo që unë doja. Sepse në fillim, kur shiriti i diktofonit nuk po lëvizte, Flori u tregua shumë euforik, dhe në ato momente për pak mendova që kisha realizuar intervistën 'scoop' më të madhe të jetës sime. Por sigurisht, Flori nuk ma dha të plotë këtë kënaqësi, sepse nëse ai ka një pikë të fortë si producent, është pikërisht menaxhimi që i bën imazhit të vet përpara publikut. Gjithsesi në intervistën që do të pasojë do të gjeni mjaftueshëm materiale për t'u marrë e për të diskutuar. Duke filluar nga kënga e re "Me zemër" - nga e cila morëm edhe spunton për të realizuar këtë rrëfim - tek armiqtë në muzikë, - të cilët ndërsa prapa krahëve e shajnë, kur janë përballë tij e përqafojnë dhe i luten t'i bëjë një këngë të re. Shkollimi që ia përmendin si pikë të dobët, por që ai e ka shndërruar në një pikë të fortë përballë publikut. Përgjigjet e pyetjeve të tillë si: Pse u ndërpre bashkëpunimi me Gaçen dhe pse nuk merr më pjesë në "Kënga Magjike"?! Gjykimi për Festivalin e madh dhe Dr.Flori, për të cilin këngëtarë të ndryshëm i kanë treguar se e ka si frymëzim muzikën që Flori bën. Arian Çani dhe zemra e Florit, të cilën ai do ta mbajë vetëm për vete... "One night stand"-et dhe shumë e shumë detaje të tjera nga jeta e një prej njerëzve më të dashur të publikut. Por kujdes, nëse mendoni se kjo intervistë është gjithçka Flori mund të thotë, gaboheni, kjo është vetëm maja e ajsbergut… çfarë u tha në 'off record' është shumë herë më e madhe.