Roboti Që Vrapon Më Shpejt Se Usain Bolt!

Një robot i njohur me emrin “Çita” ka thyer rekordin botëror të robotëve me këmbë dhe ka vrapuar madje edhe më shpejt se njeriu më i shpejtë në botë. 
Roboti i realizuar me mbështetjen materiale të Pentagonit, ka arritur në 45,5 km në orë në shiritin vrapues, transmeton Starti njoftimin. Vrapuesi xhamaikan, Usain Bolt, mund të vrapojë maksimumi 44,7 km në orë.
Robotët e planifikuar për projekte ushtarake janë pjesë e programit zhvillues të Pentagonit. Një nga specialistët e robotëve pohoi se është një fatkeqësi prodhimi i “Çita”-s me qëllim “vrasjen e njerëzve”. Roboti është prodhuar nga “Boston Dynamics” me qendër në Massachusetts dhe është mbështetur nga agjencia “Darpa”, e cila merret me studimin e projekteve të zhvilluara.
Sipas “Darpa”-s, qëllimi i zhvillimit të një roboti të tillë është “t’u vijë në ndihmë ushtarëve në misione të ndryshme”. “Çita”, i cili funksionon me një pompë hidraulike kishte bërë 29 km në orë në muajin shkurt. “ ‘Çita’ ka një avantazh të vogël ndaj Usain Boltit, dhe ai është vrapimi në shiritin vrapues”, thuhej në deklaratën e dhënë nga “Darpa”. “Por ‘Çita’ e përdori pjesën më të madhe të fuqisë së këmbëve për të ecur më përpara” . Roboti i “Darpa”-s vitin e ardhshëm planifikohet të provohet edhe jashtë laboratorit.
A do të vrasë civilët? Roboti është projektuar duke u frymëzuar nga kafsha më e shpejtë në tokë çita, e cila vrapon deri në 121 km në orë. “Çitat janë një shembull i mirë i inxhinierisë natyrale në kushte të vështira natyrore”, u shpreh Gill Pratt, drejtuesi i programit të “Darpa”-s. “Edhe roboti ynë ‘Çita’, kallëpet e këmbëve, disa pjesë të kurrizit, mënyra se si qëndrojnë këmbët etj, janë frymëzuar nga pjesët natyrale të çitës”.
“Me ndihmën e “Çita”-s dhe studimeve të ngjashme, ne krijojmë bazën e strukturës së robotëve të ndryshëm të cilët mund të përdoren nga Ministria e Mbrojtjes në të ardhmen. “Ky është një sukses perfekt teknologjik por është për të të ardhur keq sesi një robot i tillë të përdoret për vrasjen e njerëzve”, u shpreh profesor Noel Sharkey nga Universiteti Sheffield. “Me sa e di unë ky robot do të përdoret për kapjen e njerëzve në shkretëtirë. Nuk mendoj se mund të përdoret në një zonë ku ka shumë civilë”, pohoi ai. “Por nëse do të përdoret në fushën e luftës ai do të vrasë dhe civilët sepse ai nuk do të arrijë të bëjë dallimin në mes civilëve dhe ushtarëve”.