Vritet mbretëresha e kokainës...

Një trafikante kolumbiane e drogës, e njohur si “mbretëresha e kokainës”, është vrarë në qytetin e Medelinit.Griselda Blanco, 69 vjeç, është qëlluar për vdekje nga persona të armatosur teksa dilte nga një dyqan mishi. Blanco ishte një nga kolumbianët e parë që trafikuan kokainë në sasi të mëdha nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara në vitet 1970-1980. Ajo vendosi shumë rrugë trafiku, të cilat u morën nën kontroll nga karteli i Medelinit pasi gruaja u dënua me 20 vjet burg për trafik droge. E konsideruar si e pamëshirshme, Blanco dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e shumë rivalëve të saj për të arritur në majat e biznesit të narkotrafikut. E dënuar nga një gjykatë amerikane në vitin 1985, ajo kaloi pothuajse 20 vjet në një burg të Shteteve të Bashkuara, përpara se të dëbohej në Kolumbi në vitin 2004. Familja e saj deklaroi se kur ishte kthyer në vendlindje, Blanco i kishte shkëputur lidhjet me krimin e organizuar. Ndërkohë, policia në qytetin e Medelinit thotë se po heton për të zbuluar motivet e vrasjes.